Intervistë e dhënë posaçërisht për revistën LIGJI DHE JETA\r\n\r\nMe një shkrim te madh dore e fjali të thjeshta gjeniu i letrave na e dha me preokupacion e sinqeritet këtë interviste të cilën po e botojmë bashke me falenderimin dhe urimin për nje jete te lumtur e te frutshme ne shërbim të artit, të politikës dhe të gjithe shoqërise.\r\n\r\n\r\nKorespondent i Ligji dhe Jeta- I dashur Z. Agolli. Ju njiheni si gjeniu i letrave, por edhe si përfaqesues i popullit në politken shqiptare. Besojme se edhe ne politike keni mundur ta gjeni veten si mendimtar dhe njeri i artit. A mund ta konsiderojme ligjin jo vetem si nevoje por dhe si pjese te se bukures ne jete.\r\n\r\nDritero AGOLLI- Ligji, sipas fjalorëve, është rregull i domosdoshëm ose imperativ. Ligji është i shumëllojshëm, si fjala vjen, ligji i natyrës, i shoqërisë, i moralit, i estetikës, i drejtësisë e me radhë. Por këtu ju e keni fjalën për ligjin si normë apo rregull që vendoset nga organi më i lartë i pushtetit shtetëror dhe që është i detyrueshëm të zbatohet nga të gjithë. Në këtë kuptim ligji, nuk mund të jetë pjesë e së bukurës, por eshte mbrojtës i vlerave të saj. Për shembull, kemi ligje për mbrojtjen e veprave të artit dhe të letërsisë, të monumenteve të kulturës, të mjediseve publike, të urbanistikës, të ambjentit, të florës, faunës etj.\r\n\r\nKorespodent i Ligji dhe Jeta- Gjatë këtij dhjetëvjeçari kundershtitë politike kanë sjellë pasoja te dhimbshme dhe regres. A mendoni se ka mospajtime tek shqiptarët për të bërë shtetin e tyre?\r\n\r\nDritero AGOLLI- Te paktën vetëm gjatë gjithë shekullit 20-të, që kaloi, shqiptarët nuk i ndërprenë përpjekjet e tyre për t\’u pajtuar dhe për të patur një shtet të vërtetë. Në periudhat kyçe të historisë, gjatë qindvjeçarit të shkuar, – më 1912, më 1920, më 1924, dhe më 1944 , -shqiptarët e kanë treguar veten se dinë të bashkohen dhe të krijojnë shtetin e tyre. Dhe shteti më serioz, më i qëndrueshëm dhe më i rregullt në lëvizjen e gjithë organeve të organizmës kolosale të tij ishte ai që jetoi 47 vjet me radhë, – nga 1944 deri më 1991, pavarësisht nga mëkatet që ne po ia shohim sot. Duke i parë këto kyçe të historisë me gjakftohtësi dhe pa synime nihiliste, bindemi se shqipatret dinë të pajtohen, të bashkohen dhe të kenë shtetin e tyre. Këtë zotësi pajtimi dhe shtetndërtimi po e tregojnë edhe shqiptarët e Kosovës me parlamentin e tyre… \r\n\r\nKorespodent i Ligji dhe Jeta- Në këtë perudhe tranzicioni qytetari është i zhgënjyer nga administrata dhe qeverisjet. Si mund të kemi një funksionim të mirë të shtetit? \r\n\r\nDritero AGOLLI- Shteti është si një orkestër e madhe simfonike. Orkestrës së mirë i funksionojnë të gjitha instrumentet muzikore në harmoni të plotë, që nga violina e parë dhe deri tek tamburi. Edhe në shtet duhet të funksionojnë harmonikisht të gjitha organet e administratës së tij, që nga zyra e gjendjes civile deri tek zyra e kryeministrit